Vihen në funksion dy laboratorë të rinj tek Universiteti i Mjekësisë, ai i anatomisë dhe i histologjisë. E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, e cila tha se synimi është përmirësimi i infrastrukturën didaktike dhe kërkimit shkencor.

Orgeta Manastirliu, ministre e Arsimit: Vetëm për Universitetin e Mjekësisë, për infrastrukturën dhe për projektet, janë mbi 500 mijë euro të cilat do të disbursohen këtë vit në funksion të zhvillimit të mjekësisë dhe shkencës në vend. Të gjitha këto janë të lidhura me njëra-tjetrën, por mbi të gjitha, janë mundësi për studentët për të qenë më afër ëndrrës së tyre për t’u bërë mjekët e ardhshëm dhe për të pasur aftësi të lidhura me aspektet globale dhe digjitale.

Sipas ministres synim është rritja e kapaciteteve dhe investime për të pritur më shumë studentë të rinj në Fakultetin e Mjekësisë.

Orgeta Manastirliu, ministre e Arsimit: Sfida jonë është të zgjerojmë kapacitetet, duke mbajtur premtimin për 500 kuota të reja për studentët që do të studiojnë në Universitetin e Mjekësisë me standardet më të larta. Do të kemi laboratorë të rinj të financuar nga fondet e Kërkimit Shkencor. Për vitin 2024-2025, janë tre projekte të reja për Universitetin e Mjekësisë, të cilat padyshim do të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe asaj didaktike në formatin praktik.

Ky investim do t’i shërbejë rreth 1300 studentëve të vitit të parë dhe të dytë të programit të studimit Mjekësi e Përgjithshme, si dhe studentëve të Farmacisë, Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Dentare.

Klan News