Partitë përfshihen sërish nga fenomeni i trafikimit të anëtarëve. Rasti i radhës ka ngjarë në degën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat, anëtarët e kësaj force politike kanë dorëzuar teserën.

Por si në çdo rast të ngjashëm një fenomen i tillë shoqërohet edhe me luftën e shifrave. LSI thotë se nuk bëhet fjalë për 200 anëtarë të saj.

Petrit Vasili: “Kemi të bëjmë me 200 anëtarë të PS që shërbejnë si dekor i 4-5 njerëzve të ish-njerëzve të LSI që prej më shumë se 1 viti janë prej kohësh anëtar të PS.”

Sipas Vasilit skenari është i qartë, të larguarit janë shpërblyer me para dhe favore të tjera personale.

Petrit Vasili: “Kjo nuk është rastësi, sepse matrapazllëku është thelbi i politikës së re, jo vetëm brenda lidershipit të PS, por edhe në marrëdhënie me forcat e tjera politike.”

Rrjedhje nga strukturat, dega e LSI në Berat e paralajmëroi një ditë më parë nëpërmjet këshilltarëve të saj në këtë qytet. /tvklan.al