Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lindja e saj ishte parashikuar si një nga më të vështirat dhe ndoshta e pamundur nga ana e mjekëve të maternitetit të Tiranës, pasi Mimoza Zenollari vuante nga një sëmundje e zemrës. Kur kamera e TV Klan e kishte takuar para pak javësh, Mimozën 32 vjeçare nga Babrruja, mjekët kishin shprehur shqetësimin e tyre, se kjo shtatzëni me katër fëmijë, mund t’i rrezikonte seriozisht jetën e saj. Madje i kishin kërkuar Mimozës që ta ndërpriste shtatzëninë e saj, por kjo nënë e guximshme vendosi që t’i shkonte deri në fund me një durim tepër të madh.

Falë kurajës së saj tepër të madhe, por mbi të gjitha falë një pune të shkëlqyer të personelit të maternitetit të Tiranës, lindja ka shkuar me sukses dhe kanë dalë në jetë katër vajza të vogla të mrekullueshme. Të cilat janë vendosur në ambientet e inkubatorëve të reanimacionit. Ato janë ende shumë të vogla, por personeli i spitalit po qëndron pranë tyre, duke u kujdesur në çdo moment, derisa ato të jenë plotësisht jashtë rrezikut.

Ndërsa nëna e re nga salla e kirurgjisë është shoqëruar për në ambientet e reanimacionit, ku është vendosur në të njëjtën dhomë me nënën tjetër me katërnjak, Elda Kamberi. Përkrah saj shumë i emocionuar gjendet burri i saj Kastrioti së bashku me motrën e tij. Së bashku me dy vajzat 6 dhe 8 vjeçare që ndodhen në shtëpi, familja Zenollari numëron tani plot 6 vajza. Ndërkohë që nëna e re është ende nën oksigjen për momentin, mjekët sigurojnë se çdo gjë po shkon mjaft mirë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora