Një operacion antidrogë u zhvillua ditën e sotme në Itali, ku policia e Romës lëshoi 13 urdhërarreste, teksa mes të ndaluarve ishte dhe këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, tregoi disa detaje të tjera në lidhje me këtë operacion, si dhe për rolin që kishte këngëtarja në organizatën kriminale.

‘’Përsa i përket përfshirjes së saj në këtë organizatë ku janë 13 persona, për të cilët janë shpallur urdhërarreste, sipas edhe kolegëve fqinj janë ekzekutuar 9 prej tyre. Kemi persona të tjerë në kërkim, midis tyre edhe drejtuesi kryesor i këtij rrjeti, një shtetas shqiptar i cili drejtonte këtë organizatë kriminale, bashkë me një shtetas italian. Sipas autoriteteve në vendin fqinj, ky shtetas shqiptar është jashtë vendit, dhe mund të jetë në Shqipëri dhe do të ketë një kontakt me autoritetet shqiptare. I gjithë grupi e kishte bazën në Romë, në zona të ndryshme. Një nga zonat ishte në Açila dhe Viterbo, ku janë ekzekutuar urdhërarrestet.

Magazinimi i lëndës narkortike bëhej në këto zona, për t’u shpërndarë më pas në zonat periferike të Romës. Gjatë aksionit janë sekuestruar 5 kg lëndë narkotike kokainë, 125 kg kanabis, si dhe marijuanë. Të gjitha këto janë zbuluar në një magazine në bodrum, në zonën ku janë kryer edhe aksionet. Ka patur vëzhgime nga autoritetet për aktivitetet dhe takimet që kryeshin midis anëtarëve, por nuk të themi se sa ishte përfshirja e Elsa Lilës në këtë rol. Autoritetet, duke iu referuar mediave fqinje, deklarojnë që kemi vetëm rolin e saj si llogaritare, në bazë të shënimeve apo përgjimeve që janë kryer. Autoritetet italiane, por edhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, kryejnë hetime shumë të gjata në kohë, ndryshe nga autoritetet shqiptare, që ndoshta nxitojnë paska të kryejnë arrestime dhe më pas të dyshuarit lirohen nga të gjitha përgjegjësitë penale që ngrihen ndaj tyre“, u shpreh Bajraktari./tvklan.al