Lojërat olimpike po afrojnë dhe kinezët po bëjnë llogaritë tyre për të pritur vizitorët. Pekini parashikon të arkëtojë 400 milion dollarë nga turistët, që do të ndjekin olimpiadën gjatë muajit gusht.

Në këtë periudhë pritet të vizitojnë qytetin rreth gjysmë milioni të huaj. Të dhënat vijnë nga prenotimet e deritanishme, që për shumë janë zhgënjyese. Pasi në të njëjtën kohë të 2007 Pekini u vizitua nga 420 mijë persona.

Kapaciteti mirëpritës i kryeqendrës së Kinës është 336 mijë shtretër. Hotelet me 5 yje të Pekinit janë të zëna për aktivitetin e madh ¾ e dhomave. Ndërsa çmimi është katërfishuar në krahasim me vitin e kaluar.

Rezervimet bien me shumë në hotelet e kategorive të ulëta. Gazeta Tajvaneze China Poll shkruan se priten edhe anulime prenotimesh, për shkak të kushteve të rrepta për marrjen e vizës. 33 vende mes të cilëve India, Pakistani, Iraku dhe Nepali e kanë ndjerë më shumë këtë masë shtrënguese.

Në ndihmë të strukturave të mëdha hoteliere do të jenë edhe bujtina familjare. Pasi në Pekin pritet të vijnë 1.2 deri në 1.6 milionë turistë vendas. Lojërat olimpike do të nisin më 8 gusht për të zgjatuar 16 ditë me radhë./tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku