Në këtë Europian kombëtarja jonë kuqezi është konsideruar si surpriza e këtij kompeticioni. Në një “grup ferri” siç është Grupit B, ajo ia ka dalë të thyejë rekorde me golat e shënuar në sekondat e para të ndeshjes, por edhe kur ka qenë në limit të kohës. Meritë për këtë i dedikohet gjithë ekipit të kombëtares.

Sfida e fundit me Kroacinë do të ngulitet thellë në memorien e shqiptarëve. Në këtë ndeshje spikati veçanërisht portieri i kombëtares Thomas Strakosha. Në një intervistë për Klan News spikeri i lajmeve Reis Çiço dhe ish-portieri Foto Strakosha, thanë se është krenari për vendin tonë që emri i kombëtares lakohet nga mediat botërore.

Por s’kishin si të mungonin edhe pyetjet “pikante” për dy të ftuarit. Gazetari Besard Jacaj pyeti spikerin se cili ka qenë portier më i mirë, Foto Strakosha apo i biri, Thomasi? I vendosur në pozitë, Reis Çiço u përgjigj me diplomaci.

-Reis kush ka qenë më i mirë në portë Foto Strakosha apo Thomasi?

Reis Çiço: Foto ka qenë më i mirë për kohën e tij, sepse janë dy personazhe që janë në kohë të ndryshme.

Foto Strakosha: Nuk ka vend për diskutim. Faleminderit që më sillni në kujtesë vitet e mia, por nuk mund të krahasoj kur çunat e sotëm luajnë me 80 mijë spektatorë dhe në një periudhë kur ne luanim e shumta me 20-30 mijë spektatorë dhe me një futboll që është shumë herë më i shpejtë se ai që luanim ne. Me të vërtet në atë periudhë kishin goxha futbollistë cilësorë, me individë goxha të mirë, por them se tani futbolli është bërë akoma më i vështirë./tvklan.al