Lajme Arkiva 2003

Autoritetet e burgut kanë marrë të tjera masa sigurie në lidhje me të pandehurin “vip” të çështjes “Kokaina” Sokol Koçiu. Brenda një nate gardian të bugut 313 ka bërë lëvizjen e të pandehurit duke e transferuar në 3 qeli të ndryshme. Një fakt të tillë e ka zbardhur vetë i dyshuari Koçiu në seancën e tretë gjyqësore.

Koçiu ka kërkuar nga gjyqtarë të çështjes të shtyhet kjo seancë pasi nuk ka mundur të përpilojë kontestimet ndaj dëshmisë së Triana Mateusit, dëshmi që do të shqyrtohen në proces. Sokol Koçiu ka deklaruar se gjatë lëvizjeve të rrufeshme në qelitë e ndryshme të burgut nuk është lejuar të marrë me vete materialet shkresore dhe si pasojë nuk ka patur mundësi të riformuloj kontestimet.

Kërkesa e të pandehurit për shtyrje të seancës është hedhur poshtë nga prokurori i çështjes i cili i ka cilësuar ankesat e Koçiut si pretekst për të zhvilluar procesin, i cili zhvillohet tashmë në limite të fundit të kohës së lejueshme për paraburgim, po gjyqtari Gjoni ka marrë përsipër të bëjë personalisht verifikimin e pretendimit duke u interesuar pranë autoriteteve të burgut në lidhje me një fakt të tillë./tvklan.al