Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet e vendosur në aksionin e saj politik për të mbrojtur votën e lirë të çdo shqiptari në zgjedhjet parlamentare të 2009, duke kërkuar asistencën dhe mbështetjen e ndërkombëtareve.

Gjatë një takimi të mbajtur me krerët e degëve të kësaj partie në rrethe, Ilir Meta ritheksoi së strategjia e hartuar tashmë nga LSI synon paralizimin e skemave manipuluese të votës, që sipas tij kreu i selisë rozë i bëri të majtës në opozitë duke bashkëpunuar me liderin e mazhorancës për kodin e ri zgjedhor.

Ilir Meta: “Edi Rama sot është shkaktari kryesor i shkatërrimit të Kushtetutës dhe i betonizimit, jo vetëm të Tiranës po edhe të pushtetit të Sali Berishës. Sot është koha jo vetëm që t’u drejtohemi gjithë shqiptarëve, për të përkrahur LSI-në dhe koalicionin tonë, por njëkohësisht ne jemi që tani garantët e sigurt të mbrojtjes së zgjedhjeve dhe votës së çdo shqiptari.”

Një ditë me parë Kreu i LSI-së, tha se në zgjedhjet e 2009-ës do të sjellë në Shqipëri kompani të specializuara me qëllim garantimin e votës së lirë, duke paralajmëruar gjithashtu së protestat kundër kodit zgjedhor do të nisin të mërkurën e javës së ardhshme nga sheshi “Skënderbej” për tu shtrirë në mbarë vendin./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Isdor Rudho