Shqipëria merr mbështetje të fuqishme nga Italia për liberalizimin e vizave në fillim të vitit 2009. Garancitë janë dhënë nga ministri i jashtëm italian Franco Faratini, gjatë vizitës që ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha zhvilloi në Romë.

Fratini ka sqaruar se liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit perëndimor nuk do të ofrohet në paketë, por do të varet nga progresi i secilit vend. Ai tha se Shqipëria është në një pozitë shumë të mirë dhe Italia fqinje mbështet fuqimisht të gjitha hapat e ndërmarra deri më tani nga Tirana zyrtare, në drejtim të procesit integrues në familjen e madhe europiane.

Gjithashtu ministri i jashtëm italian ka vlerësuar me nota pozitive punën që vendi ynë ka bërë deri më tani për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme. Pikë tjetër e rëndësishme në këtë takim ishte edhe energjia bërthamore.

Dy homologët Basha dhe Fratini kanë konfirmuar bashkëpunimin për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe fusha të tjera. Franco Fratini ka premtuar se në muajin tetor, me ftesë të ministrit Basha do të vizitojë Tiranën./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni