Qeveria është e gatshme të financojë shpenzimet e shpronësimeve për ndërtimin e unazës së madhe në Tiranë. Kështu deklaroi në një konferencë për shtyp ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të një ditë më parë të kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Ministri Olldashi tha, se qytetarët nuk mund të presin vitin 2011 që Unaza të ndërtohet.

Sokol Olldashi: “Bashkia e Tiranës ende sot e kësaj dite nuk ka siguruar fondet për ndërtimin e unazës. Duke e konsideruar projektin madhor ne u ofruam që në qoftë se bashkia e ka të pamundur që këtë projekt jetik për kryeqytetin ta zbatojë, ne jemi të gatshëm të financojmë, jo vetëm shpronësimet, por edhe realizimin e projektit.”

Në mbledhjen e komitetit të planifikimeve të strategjive, kryeministri Berisha deklaroi se ministria e Punëve Publike, do të marrë përsipër detyrimin sa më të shpejtë për fillimin e ndërtimit të unazës së madhe. /tvklan.al