Emri i Universitetit Ismail Qemali në Vlorë nuk do të ndryshojë, kjo deklaratë vjen nga ministri i sapo emëruar i Arsimit Fatos Beja. Ai bëri me dije, se në ministrinë e Arsimit nuk ka mbërritur asnjë shkresë nga ana e rektoratit të këtij universiteti, ndërsa sqaroi se emri i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë është vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 1994 dhe vetëm qeveria mund ta ndryshojë atë.

Fatos Beja: “Është akti i krijimit të vetë universitetit i cili duhet të ndryshojë dhe në këtë rast kjo nuk është thjesht atribut i senatit, është atribut i aktit të krimit është vendim i qeverisë, deri më sot në ministri nuk ka ardhur asnjë kërkesë, së dyti mund t’ju them që edhe në qoftë se vjen nuk do ta kalojmë si vendim të Këshillit të Ministrave.”

Por ndërsa duket se i ka dhënë udhë debatit të nisur në lidhje me vendimin e senatit të universitetit “Ismail Qemali”, ministri i ri nuk ka sqaruar se çfarë do të bëhet me 220 diplomat që ky universitet ka lëshuar tashmë me emër të ndryshuar. Televizioni Klan zbuloi se rektorati i kishte lëshuar këto diploma me emër të ndryshuar të universitetit disa ditë përpara se senati të votonte për heqjen e emrit “Ismail Qemali”./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Ben Haxhiaj