“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë veprimet për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë.” Kështu ka deklaruar sot në Tiranë, Ministri Britanik i Mbrojtjes, Xhorxh Robertson. Shoqëruar dhe nga një pjesë e opozitës britanike Robertson ka takuar personalitetet më të larta të Shtetit Shqiptar.

Kemi ardhur në Shqipëri, u shpreh ai me homologun shqiptar Hajdaraga, për të parë nga afër gjendjen e të depërtuarve nga Kosova si dhe për të sjellë mbështetjen e Qeverisë dhe opozitës britanike. Ministri Hajdaraga pasi ka bërë një përmbledhje të gjendjes aktuale në Shqipëri u ndal tek sulmet serbe në kufirin shqiptar. Nisur nga kjo situatë vijoi ai, ne mendojmë se veprimi i NATO-s është i nevojshëm.

Më pas Robertson është takuar me Presidentin Mejdani dhe Zëvëndëskryeministrin Meta. Në takimin me Mejdanin, Robertson shprehu qëndrim të njëjtë me autoritetet shqiptare për mënyrën e menaxhimit të krizës. Në fund të vizitës Robertson është prononcuar dhe për gazetarët. Qeveria Shqiptare ka nevojë për më shumë ndihmë dhe ne do ta ndihmojmë atë ta përballojë situatën.

I pyetur se a do të ndihmohet UÇK-ja, ai u shpreh se fushata ajrore dhe rezultatet janë në ndihmë të të gjithëve. Qëllimi ynë nuk është të ndihmojmë segmente të caktuara e palë të veçanta, por të ndihmojmë popullin shqiptar të Kosovës. I pyetur për ndërhyrjen tokësore të NATO-s në Kosovë, ai tha se kjo ndërhyrje do të bëhet në momentin e duhur. Por ne po shohim se sulmet ajrore e kanë dobesuar shumë Millosheviçin përfundoi ai./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego