Abuzimet me pronat publike kanë qenë në qendër të takimit që ministri i Brendshëm Bujar Nishani pati në Sarandë me drejtues të pushtetit vendor të bashkive dhe komunave në jug të vendit.

Gjatë fjalës së tij ai vuri në dukje se nga një kontroll i kryer nga dikasteri që ai drejton disa komuna dhe bashki janë konstatuar shkelje të rënda përsa i përket transferimit të pronave publike nën administrimin e pushtetit lokal.

Bujar Nishani: “Është një proces i cili në radhë të parë kërkon ndërmarrje e disa hapave dhe disa procedurave. Pjesa më e rëndësishme pastaj mbetet mënyra e menaxhimit të këtyre pronave. Ne besojmë plotësisht që kalimi i pronësisë tek pushteti lokal, tek komuna e tek bashkia do ta rrisë akoma edhe më shumë përgjegjësinë e mënyrë së administrimit të këtyre pronave.”

Ministri Nishani theksoi se pushteti qendror dhe ai lokal dihet të bashkëpunojnë ngushtë për përshpejtimin e procedurave të transferimit të pronave. Ai kërkoi nga drejtuesit e pushtetit vendor që të marrin urgjentisht masat për të parandaluar zjarret në pyjet dhe kullota.

Në takim ishin të pranishëm edhe prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera si dhe drejtues te institucioneve rajonale./tvklan.al