Disa javë pas fillimit të procesit për pajisjen me letërnjoftime, Ministria e Brendshme njoftoi nisjen e aplikimit edhe për pajisjen me pasaporta biometrike. Duke filluar nga dita e mërkurë, në Tiranë qytetarët do të kenë mundësinë të aplikojnë për këtë dokument të ri me elementë të lartë sigurie, ç’ka përbën edhe një prej kushteve kryesore për liberalizimin e vizave mes vendit tonë dhe Bashkimit Evropian.

Fatmir Konja: “Pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumentet e reja të identitetit ka një rëndësi të madhe për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave. Për më tepër numri i pasaportave biometrike të lëshuara për qytetarët shqiptarë do të jetë një argument i rëndësishëm për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian…”

Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin me atë për pajisjen me letërnjoftimin elektronik. Me këtë rast Ministria e Brendshme u bëri edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë t’u drejtohen zyrave të aplikimit për dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike./tvklan.al