Qytetarët shqiptarë do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare 2009-ës të pajisur me karta identitetit. Ministria e Brendshme, ka rikujtuar dhe njëherë se procesi për pajisjen me këtë dokument do të nisë në fillim të vitit që vjen. Sipas këtij dikasteri 5 muaj nga dita e firmosjes së kontratës, i gjithë sistemi i aplikimit dhe prodhimi do të jetë i gatshëm për të filluar punën për prodhimin e kartave.

Fatmir Konja: “Duke qenë i gatshëm në fillimin e vitit 2009. Me një kapacitet prodhimi prej 15 mijë karta në dit apo 450 mijë karta në muaj, ky sistem do të jetë i aftë t’i përgjigjet dinamikës së aplikimeve të qytetarëve të cilët do të kenë në dispozicion 350 zyra të përhershme dhe 100 zyra të lëvizshme. Duke patur parasysh numrin e votuesve në Shqipëri, do të jetë plotësisht e mundshme pajisja e tyre me karta identiteti deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Ministria e Brendshme, ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e PS se qeveria do të dështojë në prodhimin e kartave të identitetit. Zëdhënësi i kësaj ministrie, tha se përfaqësuesit e opozitës janë të informuar se po përgatiten një sërë aktesh nënligjore që do të nxisin procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri