Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e shtetasit Durim Bami nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas gazetarit Besar Bajraktaraj, kjo kërkesë është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike. Ministria e Drejtësisë, pas firmosjes nga ministri Manja, ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për shtetasin Bami janë marrë në dorëzim nga pala arabe.

Durim Bami, i konsideruar si një nga anëtarët e bandës së Niklës u arrestua në Dubai në fillim të muajit Qershor. 45-vjeçari ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revansh. Arrestimi i tij u bë falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi.

I përfolur në shumë ngjarje të rënda kriminale të regjistruara në Shqipëri, emri i Durim Bamit doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat. Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputeti Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Mbi këto akuza Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë. Gjithashtu po në këtë dosje del në pah se vetë Bami ka qenë në shënjestër të disa grupeve kriminale, të cilat pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta eliminojnë fizikisht atë./tvklan.al