Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo ka prezantuar përpara anëtarëve të Komisionit të Shëndetësisë ndryshimet që ka bërë në ligjin për barnat dhe shërbimin e farmaceutikës. Godo është fokusuar në 2 nene të cilat dy muaj më parë në projektligjin e paraqitur nga ish ministri Nard Ndoka  u kundërshtua nga opozita pasi duke i dhënë të drejtën çdo kujt për të futur barna në Shqipëri rrezikohej shëndeti i qytetarëve ndërsa nga ana tjetër kompetencat e licencimit i merrnin të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe.

Anila Godo: “Në të 12 DSHP-të, drejtoritë e shëndetit publik rajonal të ngrihet një strukturë e cila mund të ketë emrin zyrë farmaceutike apo inspektorat farmaceutik. Të ketë kryesisht atributet e një inspektorat farmaceutik. Pika më e nxehtë e ndërhyrjes tonë në ligjin farmaceutik është qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave përgatit dhe boton periodikisht çdo vit regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe njëkohësisht emrin importueseve të autorizuar nga kompanitë përkatëse. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave është e detyruar të depozitojë këtë regjistër, regjistrin e barnave dhe adaptimet e tij pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nga ana e tyre Drejtoria e Doganave është e detyruar ët njoftojë menjëherë QKKB-në për çdo import që kryhet.”

Ndryshimet e bëra në projektligjin e barnave dhe shërbimin farmaceutik janë përshëndetur nga një pjesë e mirë e anëtarëve të komisionit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri