Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve zonja Arta Dade, ka realizuar sot një takim me mediat, ku paparaqitur para tyre angazhimet që do të ketë dikasteri që drejton për vitin 2003.

Zonja Dade ka theksuar në këtë konferencë rritjen e buxhetit për Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve për vitin 2003. Ku sipas saj në krahasim me vitin 2002 ka një rritje totale prej 10%.

Rritje të ndjeshme kanë investimet në fushën e trashëgimisë kulturore, artit dhe sporteve, të cilat kapin shifrën relative prej 25%.

Arta Dade: Në kuadër të nismave të marra edhe në Ministrinë e Turizmit, ne do të jemi një nga faktorët kryesor të zhvillimit të turizmit kulturor, pra në bashkëpunim edhe me drejtimet e tjera për zhvillimin turizmit, ne do të bëjmë kujdes që këto vlera të trashëgimisë sonë kulturore të bëhen të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj.

Për restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës, shifra e investimeve arrin në 130 milion Lekë nga 45.3 milion Lekë që kanë qenë për vitin 2002. Për rikonstruksionin dhe pajisjen e bibliotekave janë vënë në dispozicion 30 milion Lekë nga asnjëlloj financimi që kishte në vitin 2002.

Për rikonstruksionin e muzeve në qendër dhe në rrethe për vitin 2003 janë vënë në dispozicion 58.9 milion Lekë nga 30 milion Lekë në vitin 2002.

Në buxhetin ri të vitit 2003 është parashikuar dhe fondi për blerjen e tendës së re të Cirkut të Tiranës, i cili edhe pse nuk është në varësi të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve do të ketë mbështetjen e kësaj ministrie në aktivitetin e tij.

Gjithashtu vlen për tu theksuar se edhe në fushën e sporteve, investimet për vitin 2003 kanë një rritje prej 28 milion Lekësh kundrejt vitit 2002./tvklan.al