Roberto Baxhio, ikona e futbollit italian u plagos gjatë një grabitjeje në vilën e tij në rrethinat e Viçencës, natën e të enjtes kur luhej ndeshja mes Italisë dhe Spanjës për Euro2024. 5 grabitës të armatosur i hynë papritur në banesë në orën 22.05.

Kur vuri re praninë e tyre, 57-vjeçari iu vërsul njërit prej grabitësve, por ata e goditën në fytyrë me tytën e njërës nga pistoletat që mbanin me vete, duke i shkaktuar çarje të thella në fytyrë.

Më pas e mbyllën në njërën nga dhomat e vilës së tij, së bashku me familjarët e tij. Tmerri zgjati për 40 minuta. Baggio doli nga dhoma pasi u sigurua se grabitësit ishin larguar.

Mediat italiane shkruajnë se grabitësit i morën sende me vlerë si bizhuteri e ora të shtrenjta, por ende nuk dihet vlera e dëmit financiar që iu shkaktua nga kjo grabitje.  

Baggio u dërgua menjëherë në spital, ku u kurua për plagët. Prej 15-vitesh, Baggio jeton në një vilë mes pyllit në fshatin Altavila Viçentina së bashku me gruan dhe 3 fëmijët.

Ngjarja bëri bujë në mediat ndërkombëtare, ndërsa zv.kryeministri italian, Mateo Salvini reagoi përmes Tuiterit, ku shprehu angazhimin për zbulimin dhe kapjen e shpejtë të autorëve.

Tv Klan