Kanë mjaftuar pak orë shi që rrugët e brendshme dhe disa banesa në lagjen periferike “Dyli Haxhire” të Elbasanit të përmbyten nga vërshimi i ujërave. Bllokimi i kanaleve kulluese e ka bërë të pa kalueshme rrugën kryesore që lidh këtë lagje me pjesën tjetër të qytetit.

Si pasojë e nivelit  të lartë të ujërave, qendra shëndetësore ka dalë jashtë funksionit, ndërsa shumë fëmijë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë.

Në Durrës, rrugët kryesore janë kthyer në lumenj të rrëmbyeshëm, ndërsa sheshet në liqene të pa kalueshme. Më problematike situata ka qenë në lagjen e Shkozetit, ish Kënetës dhe plazhit.

Rrëshqitja e një rripi toke në vendin e quajtur Kodra e Vilës ka bllokuar rrugën që të çon për në Currila, duke rrezikuar shembjen e dy banesave. Për të evituar ndonjë aksident të mundshëm, policia ka bllokuar aksin Vollga-Currila.

Për shkak të motit të keq është pezulluar për disa orë puna në portin e  Durrësit.

Në Lezhë qindra hektarë tokë bujqësore në fushën e Torovicës dhe komunës Dajç janë gdhirë në ujë. Shiu i dendur ka sjellë bllokimin e rrugëve në fshatin Babullush, zonën e Kune Vajinit dhe aksin e vjetër Laç-Fushë Krujë.

Nëse shiu do të vazhdojë me këtë intensitet, dhjetëra banesa në këtë zonë rrezikojnë përmbytjen.

Përmbytje të tokave bujqësore ka patur edhe në komunat Ballagat, Gole, dhe Hysgjokaj në Lushnje. Banorët bëjnë fjalë për dëmtimin në masë të fushave të mbjella me grurë dhe produkteve të tjera bujqësore./tvklan.al