Temperaturat e larta që kanë mbizotëruar ditët e fundit do të pësojnë ulje me disa gradë gjatë fundjavës ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe reshjet lokale kryesisht edhe në zonat verilindore të vendit. Sipas shërbimit meteorologjik temperatura më e lartë këto ditë është shënuar në Shkodër ku termometri ka shënuar 38 gradë celsius.

Elsona Gjoni: “Vendi ynë për ditën e sotme është nën ndikimin e periferisë të presionit të ulët atmosferik, masat e ajrit që qarkullojnë janë me origjinë mesdhetare, relativisht të nxehta e të lagëta. Moti për ditën e sotme paraqitet i kthjellët dhe me kalime vranësirash të pakta kjo në pjesën e dytë të ditës. Për sa i përket fundjavës ditën e shtunën mbrëmje do të kemi një paqëndrueshmëri të motit duke vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, po kjo më e theksuar në verilindje të vendit kur do të ketë një shtim vranësirash të shoqëruara me reshje të dobëta shiu të karakterit lokal. Për sa i përket bregdetit nuk do ta prekë kjo paqëndrueshmëri.”

Por shërbimi sinoptik konfirmon se në mesin e javës së ardhshme temperaturat sërish do ët pësojnë rritje të ndjeshme duke ju rikthyer vlerave më të larta të shënuara gjatë kësaj vere./tvklan.al

Gazetare:Anila Rama

Operator: Isdor Rudho