Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill mirëpritën liderët dhe partnerët e NATO-s në një darkë në Shtëpinë e Bardhë në fund të samitit vjetor të aleancës ushtarake. Mes liderëve botërorë në këtë pritje mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Gjatë fjalimit të tij, Biden përshëndeti me një dolli përvjetorin e 75-të të organizatës.

“Gjatë 75 viteve të fundit, kjo aleancë i ka lejuar popullit tonë të synojë mundësi të reja. U lejoi vendeve tona të përballojnë çdo kërcënim me forcë dhe vendosmëri. Dhe mbi të gjitha, na lejoi të njohim lirinë e jetës, sigurinë dhe demokracinë”.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg e cilësoi NATO-n “si një nga aleancat më të suksesshme, më të forta dhe më jetëgjatë në histori”.

Ndërkaq në takimin e vendeve të NATO-s, Gjermania dhe SHBA njoftuan se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026. Ky është një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

Armët më të fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, përbëjnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Vladimir Putin. “Dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjerë veprimi, bëhet e ditur në deklaratën amerikano-gjermane.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët në një komunikatë.

Po ashtu aleatët vendosën t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm. Dokumenti gjithashtu shprehet me një gjuhë më të ashpër ndaj Kinës, duke theksuar se Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi kanë një rëndësi strategjike për aleancën dhe NATO-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tyre, thuhet në komunikatë, ku theksohet angazhimi për të përmirësuar dialogun politik e bashkëpunimin si dhe vijimin e angazhimit të forcave të KFOR në Kosovë.

Klan News