Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Ky i fundit do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë arrest shtëpie. Muça kërkoi të hetohet pa masë me argumentin se nuk ka shkelur ligjin.

Masa ndaj tij u mori pasi ndodhet nën hetim për hyrje të paautorizuar kompjuterike në sistemin TIMS. Muça ka mbajtur para togave të zeza qëndrimin se nuk ka shkelur detyrën.

Ndërkohë prokuroria e akuzon Muçën se në bashkëpunim me persona të tjerë, në 2 Gusht të vitit të shkuar kanë ndërhyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit duke eksportuar të dhëna të paautorizuara.

Këto veprime sipas prokurorisë janë kryer gjatë orëve të vona të natës, ku personat e paautorizuar janë futur në godinë me kodin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

Ndërhyrja në sistemin TIMS dhe eksportimi i të dhënave është konfirmuar edhe nga laboratori i Prokurorisë së Posaçme që kreu ekspertim në kompjuterin e përdorur./tvklan.al