Vendbanimi neolitik me moshë 6 mijë vjeçare në Libonik të Korçës rrezikon zhdukjen dhe shkatërrimin për shkak të ndërtimit pa kriter në sipërfaqen e parkut arkeologjik.

Që prej 6 muajsh në këtë zonë ka hedhur themelet një ndërtim i paligjshëm , ndërkohë që krateri i parkut është shtruar me çakull.

Pas ankesave të drejtuesve të Muzeut Arkeologjik dhe ndërhyrjes se komunës punimet u pezulluan, por ditët e fundit punëtorët e firmës kanë nisur sërish rrethimin e zonës dhe betonizimin e sipërfaqes.

Florenc Cenolli: “Ne i kemi dërguar drejtorisë rajonale një raport mbi gjendjen aktuale të kësaj ndërtese. Dhe drejtoria rajonale e ka dërguar kërkesën në komunën e Libonikut, që merret posaçërisht me survejimin e këtyre trojeve. Ne themi dhe duhet të theksojmë me forcë që këtu në këtë vend absolutisht në vazhdim e sipër të mos bëhet asnjë lloj ndërhyrje tjetër, të çfarëdo lloj kriteri qe të jetë.”

Vendbanimi i Libonikut është shpallur prej vitesh monument kulture. Së bashku me vendbanimin e Podgories, ai është ndër më të rrallët në  juglindje të vendit. Nga ky vendbanim gjenden të ekspozuara në stendat e muzeut arkeologjik punime të rralla të qeramikës, karakteristikë e kësaj periudhe./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi