Në Galerinë e Arteve Dixhitale në Korçë u shfaq për herë të parë ekspozita imersive “Undinus”. Përvoja fantastike e botës nënujore e sjellë përmes 8 punëve dixhitale, ndërthurte mes tyre edhe udhëtimin e personazheve në kërkim të përmbushjes shpirtërore.

Pasuria e botës nënujore, plot ngjyra dhe larmi si edhe simbolika e  personazheve të dashur të fëmijërisë e çon shikuesin drejt zbulimit mahnitës të natyrës dhe të vetes.

Willred Dallto: Ka qenë një eksperiencë interesante prej 3 muajsh, nuk ka qenë e thjeshtë, por mendoj se rezultati ka qenë goxha i bukur. Frymëzimi vjen nga eksperienca personale, deti, sirenat. Të gjithë këto simbolet që gjatë fëmijërisë na kanë pëlqyer.

Realizimi i ekspozitës në 3D ishte i vështirë dhe sfidues, por eksperienca mbetet e bukur për artistin Noel Çela që realizoi pjesen vizuale te puneve.

Noel Çela: Në të gjithë Shqipërinë të them të drejtën nuk është se gjen këto lloj mundësish që të japësh një punë sfiduese që i prek njerëzit. Ishte shumë e bukur që po fillojmë tani dhe po i japim vëmendje kësaj fushe.

Ekspozita imersive “Undinus” do të qëndrojë e hapur për disa ditë në Galerinë e Artit Dixhital në Korçë e vetmja e këtij lloji në vend që ndërthur artin tradicional me teknologjinë.

Klan News