Shqipëria përballet këtë të hënë në mbrëmje me Spanjën. E konsideruar një ndeshje sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme për kombëtaren shqiptare, kjo e fundit do të luftojë për të marrë 3 pikë.

Pikërisht për këtë takim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se cilido qoftë rezultati, Kombëtarja jonë do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive.

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO 2024-ës”.

Në reagimin e tij, kreu qeverisë shprehet se askush nuk do ta kishte besuar që Shqipëria do ishte ende në lojë në ndeshjen e tretë të grupit, i konsideruar si “grupi i vdekjes”.

“Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”.

Duke e konsideruar një mision 100 përqind të pamundur të paktën në letër fitoren me Spanjën, Rama thekson se sot Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur e duhet ta shijojë këtë moment magjik deri në fund.

Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”.

Takimi Shqipëri-Spanjë luhet në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme dhe transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan. /tvklan.al