Hetimi i Prokurorisë së Tiranës për audio-përgjimin mes nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, mund të rezultojë një flluskë sapuni.

Burime nga akuza e kryeqytetit konfirmojnë për Tv Klan se në dispozicion të prokurorisë është venë vetëm materiali i publikuar në portalin ‘exit.al’ dhe nuk është mundur të gjendet deri tani biseda e plotë e zhvilluar mes tyre në Strasburg, në vitin 2014.

Në bisedën e bërë publike hetuesit thonë se ka ndërhyrje. Pjesë të komunikimit mes nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg janë hequr apo janë afruar me njëra – tjetrën.

Ky fakt, sipas tyre, ngre dyshime se ndërhyrjet mund te jenë bërë për ta nxjerre bisedën jashtë kontekstit.  Por për të verifikuar qëllimin e bisedës, hetuesit thonë se do të duhet të ekzaminojnë të gjithë bashkëbisedimin e zhvilluar mes tyre.

Është e paqartë se cili do të jetë hapi tjetër i prokurorisë për këtë rast, nëse do të thirren për t’u pyetur Biba, Bianku dhe personat e tjerë që përmenden në bisedë, pasi audio e plotë duket e pamundur për t’u gjetur. Një ditë pas publikimit të materialit Prokuroria regjistroi një hetim për veprën penale të ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Opozita i kërkoi prokurorisë të hetojë edhe për korrupsion Denar Bibën dhe sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Engjell Agaçin, për shantazh ndaj gjyqtarit Bianku, nën pretendimin se Biba e ka shantazhuar gjyqtarin duke i kërkuar qe te mbështesë qeverinë në kërkesën drejtuar gjykatës së Strasburgut për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve për çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Denar Biba i ka mohuar akuzat, ndërsa gjykata e Strasbugut, në një reagim për televizionin Klan sqaroi se biseda e zhvilluar, të cilën gjyqtari Bianku e ka quajtur të papërshtatshme, nuk ka ndikuar në marrjen e vendimit të saj për të aprovuar kërkesën e qeverisë shqiptare.

Tv Klan