Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Festa mbarëkombëtare me origjinë pagane, e njohur si Dita e Verës, ndodhet në vigjilje të saj në Elbasan. Festimet për ditën e luleve kanë nisur dy ditë më parë dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së nesërme, e cila do të shënojë edhe kulmin e kësaj veprimtarie.

Në teatrin Skampa vazhdon festivali mbarëkombëtar i këngës popullore qytetare, organizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia Elbasan. Në qendër të qytetit në sheshin Gensher, mbrëmë ka filluar koncerti festiv me pjesëmarrjen e grupeve popullore folklorike, nga 15 qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Nesër pritet të zhvillohen karnavalet masive, hapja e një sërë ekspozitash, si dhe panairit të përvitshëm, “Dita e Verës 2003”. Në mbarë qytetin e Elbasanit ndihet atmosfera e veçantë, sidomos në familjet e këtij qyteti. Kudo në furrat e pjekjes shikon ballokumet, ëmbëlsirën tradicionale të Ditës së Verës. Nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe përtej kufijve kanë filluar të vijnë mysafirët e parë.

Në 14 Mars në qytetin e Elbasanit, pritet të jenë të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti