Polemikat e ndezura politike të këtyre ditëve lidhur me dekretet e kreut të shtetit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë zhvendosur në sallën e parlamentit. Opozita ka kërkuar me ngulm për fshirjen e dekreteve në rendin e ditës. Por ndonëse kryeparlamentarja Topalli ka sqaruar se dekretet do të shqyrtohen javën që vjen fill pas votimit të imunitetit të Mediut, deputetët socialist braktisën sallën e kuvendit.

Jozefina Topalli: “Pas kësaj seance do të mbledh këshillin për rregulloren, për të shpërndarë projekt raportin e fundit. Të hënën paradite do bëjmë miratimin përfundimtar të raportit për heqjen e imunitetit dhe të hënën do të heqim imunitetet, pastaj dekretet ose të enjten ose të hënën tjetër do t’i votojmë.”

Valentina Leskaj: “Në qoftë se juve doni të sillni ndonjë projekt apo dokument alternativ siç është përfolur në raport është më mirë të sillni një … për presidentin meqë keni thënë se presidenti ka shkelur kushtetutën e vendit. Ne do të largohemi nga seanca dhe do të kthehemi në seancë në momentin që dekretet janë të futur në kalendarin e seancës.”

Astrit Patozi: “Të nderuar kolegë të opozitës që po largoheni, e kemi kuptuar që e keni me ngut çështjen e dekreteve të presidentit. Kolegë të opozitës, duhet të keni pak durim, sepse nuk e detyroni dot kuvendin e Shqipërisë, nuk e detyroni dot shumicën që t’ju përgjigjet ultimatumeve tuaja.”

Ndërkohë për të shmangur të gjitha paqartësitë që ka shkaktuar kjo çështje aleancisti Neritan Ceka propozoi të mblidhet këshilli i legjislacionit dhe të merret edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Neritan Ceka: “Fakti që kemi disa dekrete, nuk është se të gjithë dekretet krijojnë të njëjtin konflikt me parlamentin besoj që ka një prej tyre që duhet të çohet patjetër gjykatës kushtetuese, për të mos krijuar precedent të mëtejshme në marrëdhëniet mes parlamentit edhe presidentit, por dhe për të mos krijuar praktika pastaj të cilat e vënë në diskutim edhe vlerën universale të kushtetutës.”

Komisioni i ligjeve ka marrë në shqyrtim procedurat e ndjekura nga kreu i shtetit për emrat e propozuar për në gjykatën e Lartë. Në lidhje me këtë komisioni do t’i përcjellë parlamentit një raport ku do të jenë të shfaqura dy qëndrimet e palëve./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama