Opozita bën bilancin e tryezës së një ditë më parë që duket se i bashkon në një pikë, largimin e kryeministrit Berisha. Ajo çfarë vijon t’i ndajë është forma që duket se ka kushtëzuar dhe formulimin një iniciative të përbashkët në letër.

Valentina Leskaj: “PS është partia lider i cila udhëheq rolin opozitar për të gjitha problemet e mëdha dhe të rënda që po përballon vendi. Probleme që kanë të bëjnë me varfërinë, probleme që kanë të bëjnë me korrupsionin, probleme që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe me sigurinë dhe është një rol të cilin ne do të vazhdojmë ta bëjmë. Besoj që sot është dita për të ftuar të gjithë shqiptarët që nesër të jenë në protestë, për të protestuar për më shumë siguri, për të protestuar për më shumë drejtësi.”

Skënder Gjinushi: “Pozitive është që opozita të takohet, sepse është koha për një bashkim sa më të gjerë. Është tjetër gjë se si e koncepton luftën politike njëra apo tjetra parti, por partia jonë ka qenë shumë e qartë që e vetmja reformë që mund të bëhet me këtë qeveri është largimi i kësaj qeverie.”

Por kryetari i LSI Ilir Meta vijon të këmbëngul, se opozita nuk ka kohë të presë zgjedhjet e radhës  parlamentare për largimin e kreut të ekzekutivit.

Ilir Meta: “Ne jemi për objektiva konkrete dhe për veprime konkrete të opozitës. Në parlament dhe jashtë parlamentit po gjithmonë të standardeve demokratike që imponojnë dorëheqjen e Berishës sot dhe jo që presin se ndoshta Sali Berisha do të iki në vitin 2009.”

Propozimeve të saj opozita i shton edhe një tjetër opsion, mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit.

Skënder Gjinushi: “Edhe nga parlamenti mund të rrëzohet Berisha, një mocion vlerësoj që tani ka shumë deputetë edhe të djathë, që e kuptojnë që duhet ndal krimi, që e kuptojnë që duhet të shkëputen nga krimi dhe që e kuptojnë që mund të vijë radha.”

Ilir Meta: “Ne e mbështesim fuqimisht çdo mocion për shkarkimin e kryeministrit Berisha, por duam t’iu kujtojmë që të gjithë opozitarëve sot me ndryshimin që u bë në 21 prill, para se të bëjmë 71 vota për të hequr Berishën, duhet të gjejmë dhe 71 vota se kush do të zëvendësojë Berishën.”

Valentina Leskaj: “Të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Do të thotë që procesi që filloi dje me tryezën nuk është një proces i mbyllur.”

Aksioni më i afërt opozitar është protesta në shesh kundër pasigurisë dhe për më shumë drejtësi një iniciativë e PS. Partitë e tjera në opozitë pritet gjithashtu t’i bashkohen protestës duke mos përjashtuar dhe LSI-në. Gjithsesi një vendim përfundimtar kjo forcë politike do ta marrë gjatë një mbledhje kryesie të enjten pasdite në orë 19./tvklan.al

 Gazetare: Menada Zaimi