Lajme Arkiva 2003

Shtatë prej organizatorëve të grevës së punëtorëve të fabrikës së tullave në Vorë janë shoqëruar rreth paradites në rajonin e policisë numër 4 në kryeqytet për grumbullim të paligjshëm në rrugë.

Ata janë marrë forcërisht nga uniformat blu të kryeqytetit gjatë kohës kur prisnin për të zhvilluar një takim me përfaqësues të pushtetit vendor, Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale në prani edhe të presidentit të fabrikës së tullave për mashtrimin që pësuan nga ky i fundit me librezat e fundit dhe sigurimet shoqërore.

Grevist: Ishim  grumbulluar si çdo ditë dhe na mori të gjithë anëtarët e komisionit. Na sollën këtu. Nuk e morëm vesh se pse por na thanë të mos grumbullohemi më, mos të bëjmë grumbullime të paligjshme etj, etj. Në një kohë kur ne kishim takim në orën 10 me kryetarin e Bashkisë, presidentin e firmës, të drejtorisë së zyrës së punës, sindikatën e pavarur dhe këtu na prishën punë në fakt. Ndoshta do të kishim biseduar, do të kishim konkloduar diçka. Ne grevën do ta vazhdojmë sepse nuk kemi përfituar asgjë nga ato që kërkuam. Lekët nuk i kemi marrë u fut muaji i katërt. Unë kam 4 muaj që s’kam marrë rrogë. Do të vazhdojmë se janë bukë e fëmijëve.

Grevist: Ne kishim një takim dhe pa realizuar atë takim me presidentin e firmës,  me kryetarin e Bashkisë dhe në prani të Sindikatës së Pavarur ne nuk mund të shprehim asnjë lloj gjëje, sepse nuk dimë çfarë të vendosim. Ne jemi të pambrojtur.

Megjithëse në polici janë këshilluar për dy orë të ndalin këtë protestë, grevistët shprehen të vendosur deri në plotësim të kërkesave të tyre qoftë kjo edhe duke hyrë sërish në grevë urie./tvklan.al