Lajme Arkiva 2003

Organizimi dhe problematika zgjedhore kanë krijuar tashmë përplasje të forta ndërmjet opozitës dhe mazhorancës.

Zgjedhja e anëtarit të ri të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ndryshimet e ligjit për policinë kapitulli për zgjedhjet janë shoqëruar deri më tani me kontestime nga opozita të cilat janë drejtuar jo vetëm ndaj mazhorancës, por edhe ndaj presidentit Moisiu, ky i fundit në rolin e garantit për një proces të pranueshëm zgjedhor.

Por deklarimet e tij deri në nivel kërcënimesh në ditët e para të shtatorit duket se kanë pasur si përgjigje thjesht heshtjen e mazhorancës në qeverisje.

Zonja Dëshira Subashi anëtarja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të vazhdojë të kryejë detyrën e mandatuar në këtë komision. Presidenti Moisiu la të kuptohet se do të jepte dorëheqjen nëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk do të anulonte vendimin për emërimin e Subashit.

Ndërsa Përparim Sanxhaku, zëvendës Ministri i Drejtësisë për të cilin presidenti i kërkoi kryeministrit të mbante qëndrim pas një intervistë të dhënë në Tv Klan, vazhdon të kryejë funksionin e zëvendës Ministrit të Drejtësisë. Dorëheqja e paraqitur nga Sanxhaku pranë kryeministrit Nano deri më tani nuk është shqyrtuar.

Megjithëse kanë kaluar dy javë që prej kërkesës për dorëheqje, Nano nuk është shprehur për pranimin e saj. Kjo kërkesë nuk është propozuar për shqyrtim pranë Këshillit të Ministrave megjithëse deri më tani janë mbajtur dy mbledhje të këtij këshilli.

Sipas burimeve pranë kryeministrit kjo kërkesë për dorëheqje nuk është përfshirë as në agjendën e mbledhjes së afërt të Këshillit të Ministrave./tvklan.al