Kështu shkruan revista italiane “Paesi Online”, që e cilësoi vendin e shqiponjave një mrekulli të Ballkanit që është kthyer në një destinacion të njohur turistik, i cili për dekada ishte nënvlerësuar. Jo vetëm kaq, por Shqipëria me plazhet e saj me ujrat e kristalta dhe të paeskploruara më parë janë kthyer në destinacionin ideal për ata që nuk duan të heqin dorë nga një det që është për t’i pasur zili.  

“Paesi Online”, sugjeron vendi i shqiponjave, nga veriu në jug, është plot me qytete karakteristike dhe plazhe të mrekullueshme. Revista italiane e konsideron Ranën e Hedhun, plazhin më të bukur në vend, ku mbizotërojnë duna të shumta mbi 200 metra të larta dhe rrethohen nga një pyll i dendur me pisha.

Në Karpen, ndodhet një tjetër plazh më pak të njohur, por i mbushur me vizitorë, ku mund të pushoni dhe të shijoni kuzhinën vendase në restorantet dhe baret aty pranë. Gadishulli i Karaburunit, mbart në vetvete parkun detar të tokës së shqiponjave dhe shpella e mrekullueshme detare e Haxhi Alisë dhe ujëvara e saj mahnitëse.

Gjithashtu, në gadishullin e Karaburunit është gjiri i Gramës, i cili listohet në “top” listën e revistës italiane që ua sugjeron turistëve për t’u vizituar, ku ndodhet edhe një liman i fshehur me rërë të bardhë shumë të imët, i rrethuar nga natyra e egër. Por sigurisht që nuk janë të vetmet, brigjet e Adriatikut dhe Jonit të Shqipërisë ofrojnë një shumëllojshmëri plazhesh me nuanca të mrekullueshme mes qiellit dhe detit.

Përgjatë bregut të Adriatikut, mund të zbuloni disa nga plazhet më të bukura dhe më të famshme, si plazhi i malit të Robit dhe plazhi i Velipojës, të dyja të karakterizuara nga rëra e hollë dhe e artë. Në vazhdim, gjiri i Lalëzit dhe plazhi i Durrësit ofrojnë hapësira të mëdha rëre, ideale për shëtitje të gjata në perëndim të diellit.

“Paesi Online” shkruan se duke lëvizur drejt Bregut të Jonit, ndeshesh me lloje të ndryshme plazhesh, por ndër të gjitha dallohen vetëm plazhet e Dhërmiut dhe Ksamilit për detin e pastër dhe rërën e imët, ndërsa plazhi i Livadhit njihet për zhavorrin e tij, ideal për ata që nuk e pëlqejnë rërën.

Për një përzierje mes dy varieteteve është Borshi, një plazh i gjatë mes guralecave dhe rërës që ofron mundësinë për të shijuar në relaks total me çmime më shumë se të favorshme, bare dhe ambiente për të gjitha shijet, padyshim me pamje nga deti.

Mes të tjerash, sipas revistës italiane, ja vlen të vizitohet edhe plazhi i Potamit, një plazh i gjatë dhe më i qetë, ku mund të shijoni edhe gatimet e peshkut dhe plazhi i Llamanit, si dhe plazhin e famshëm të Porto Palermos, i cili e ka marrë emrin nga kështjella e ndërtuar në gjirin e Porto Palermos, një parajsë e vërtetë për adhuruesit e zhytjes. 

Për të vazhduar zbulimin e bukurive të këtij destinacioni ekonomik, një tjetër vepër e natyrës në Shqipëri është burimi Syri i Kaltër, vendosur në fshatin Mullinë në jug të vendit, rrëzë mali i Malit të Gjerë, i quajtur kështu sepse nga burimi shumë i thellë, uji rrjedh nga shkëmbinjtë me një ngjyrë të mrekullueshme blu të errët për të formuar liqenin e tij të mrekullueshëm.

Përveç natyrës, plazheve dhe ujëvarave, parku arkeologjik, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, mund të vizitohet rreth qytetit antik të Butrintit, nga ku u gjetën gjetje të shumta dhe gjenden në muzeun historik të Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe ndër të tjera që nuk duhet lënë pa u vizituar është Apolonia, një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri me mbetjet e saj historike magjepsëse.

Klan News