Lajme Arkiva 2003

Pallatet e Hawai Alb nuk do të prishen të paktën deri në një vendim të dhënë nga Gjykata e Apelit. Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Faktit ku i jepej e drejtë KRT-së pranë Bashkisë Tiranë, për prishjen e dy godinave El Sayed në Selitë, procesi është zhvendosur në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Edmond Bogo është kërkuar nga avokati i Hawai Alb dhe nga avokati i banorëve të cilët kanë paguar për ndërtimin e pallateve, të mos merret asnjë masë për ekzekutimin e dhënë nga Gjykata e Faktit. Sipas avokatit Dizdari dëmi që do të shkaktohej në rast se prishen dy kullat Hawai Alb është i pallogaritshëm.

Nëse më vonë gjykata vendos për mosprishjen e tyre, bashkia duhet të dëmshpërblej 1000 banorë apo 200 familje në lidhje me këtë dëm. Ndërsa juristët e bashkisë si palë në këtë proces kanë kërkuar nga trupi gjykues të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga gjykata e faktit për ekzekutimin e vendimit për prishjen e dy kullave.

Avokati Kraja ka sjellë si shembull para Gjykatës së Apelit dy vendimet e dhëna nga gjykata e Strasburgut ku interesat e qytetarëve janë të ngjashme me çështjen e kullve Hawai.

“Gjykata e Strasburgut ka sjellë një provë, përderisa kanë filluar të jetojnë disa njerëz brenda ata kanë fituar një pronësi dhe kjo pronësi mbrohet sipas Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut”.

Pas kësaj trupi gjykues ka dalë me vendim se në bazë të kodit të procedurës civilë, kullat El Syed nuk duhet të prishen deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Vendimi është pritur me entuziazëm nga banorët e Hawai Alb si dhe nga dhjetëra banorë të tjerë të cilët prisnin jashtë sallës së Apelit. Kundërshtimi i njërit prej vendimeve të Gjykatës së Tiranës në Apel ka bërë që banorët të shpresojnë se edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit do të hedhë poshtë vendimin e mëparshëm të KRT-së dhe të Gjykatës së Faktit./tvklan.al