Lajme Arkiva -TV Klan 2004

Servet Pëllumbi:- “50 vota janë pro, 76 vota janë kundër, 1 abstenim, 15 mungojnë”.

Rrëzohet në parlament mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit Nano. Rreth orës 2 pas mesnate me votim nominal të hapur votuan kundër mocionit 76 deputet të pozitës, mes tyre dhe disa socialistë të deklaruar si anti-Nano, Braho, Brokaj dhe Zela. Ndërkohë që munguan në seancë, Ilir Meta dhe pesë përkrahës së tij. Qazim Tepshi nga reformatorët abstenoi ndaj mocionit të mosbesimit për kryeministrin Nano.

Sesioni i jashtëzakonshëm i Kuvendit, i iniciuar nga opozita me synim ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për tragjedinë e Vlorës, mbylli punimet pa një përfundim, për përbërjen e këtij komisioni. Madje përgjatë 8 orëve diskutime, ngjarja e Karaburunit u servir në Kuvend me akuza të ndërsjellëta mes opozitës dhe mazhorancës. Rivalët historik, të pluralizmit politik Nano-Berisha, i treguan dhëmbët njëri-tjetrit me sharje e kërcënime.

Sali Berisha:- “Në historinë e njerëzimit, në historinë e shteteve, ti je unik në sojin tënd, në cinizmin tënd, në amoralitetin tënd, në pafytyrësinë tënde, që në gjëmë dhe në zi vazhdon pushimet. Ti mund të botosh nesër një nekrologji, siç ke botuar tre vjet më parë tënden për karakterin që ke, por ti shqiptarët mos kujto se mund t’i fyesh dhe poshtërosh siç do. Ti je faqja e zezë e këtij vendi, ti je turpi i këtij kombi, që në të vërtetë nuk i përket. Ti je një njeri që nuk ke as kuantin më minimal të dinjitetit njerëzor. Edhe njëherë, je Fatos Nano prapa të vjen zija, je Fatos zija. I bindur të jesh ti, se poshtërimin që u bëre shqiptarëve në zi, do të përgjigjesh deri më një për këtë. Ti sot mund të mbledhësh votat e KPD-darëve të tu, e kësaj race servilësh të padenjë për qeniet njerëzore, e kësaj race të shpërfytyruar njerëzish që nuk guxojnë të të thonë një fjalë, paçka se jashtë, nuk lanë gjë pa të sharë dhe pa thënë për ty”.

Fatos Nano:- “Po i përsërisë kryehienës Berisha, ka shumë në Shqipëri që mendojnë që t’i je avantazhi im në politikë, unë po ta përsërisë dhe po të denoncojë, ti je disavantazhi më i madh që ka pasur ky vend në 13 vitet e fundit dhe unë nuk largohem nga kjo detyrë pa shkulur kthetrat e tua nga Shkodra dhe nga komunitetet e tjera në nevojë”.

Sali Berisha:- “Unë do t’i them atij, Nard Koka, Nehat Kulla, asgjë më shumë”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj