Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas miratimit të kodit të ri elektoral, partitë e vogla parlamentare, po shqyrtojnë mundësinë e ankimit dhe dërgimit të kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese. Disa prej shtesave të kodit kanë shkelje procedurale dhe janë antikushtetuese për ta. 9 partitë e vogla e shohin veten të përjashtuar. Njëkohësisht mendojnë se ky kod, ekzekuton zgjedhjet e lira. Por ankimi në gjykatë sipas tyre, nuk është shpresdhënës, pasi prej tyre njihet si një gjykatë jo e pavarur.

Skënder Gjinushi:- “Dy partitë e mëdha, për t’i shpëtuar debateve, arritën të bëjnë disa kompromiseve në dëm të Kushtetutës dhe të ligjit dhe konkretisht ne konstatojmë, që paketa e dytë e ofruar nga dy deputetë, në emër të PS dhe PD është një paketë, që nuk bënë asnjë përmirësim, për ato çka janë quajtur problematike në zgjedhjet e 2001, siç janë kandidatët e pavarur, siç është shpërndarja e mandateve shtesë, duke lejuar kështu veprime antikushtetuese, por delikatesa e çuarjes në Gjykatën Kushtetuese është sepse gjykata, kur iu kërkua në 2001 të prononcohej për të pavarurit, apo për mandatet shtesë, u prononcua gabim dhe atëherë ajo doli jashtë loje nga OSBE-ODHIR, të cilët pastaj i kërkuan politikës që në asnjë mënyrë mos të lejonte të pavarur dhe gjykata nuk e bëri këtë gjë, pra në këtë drejtim ajo është e kompromentuar”.

Kryetari i PBDNJ Dule miratimin e këtij kodi e sheh, si një rritje të mundësisë për manipulimin e zgjedhjeve.

Vangjel Dule:- “Do t’i drejtohemi javës që vjen Gjykatës Kuhstetuese, shanset për të ndryshuar diçka janë minimale, sepse ekziston një përvojë e hidhur e politizimit të gjyqësorit, qoftë edhe të Kushtetueses në vendin tonë. Të shmangim me çdo kusht bipolaritetin artificial, që duan t’i imponojnë realitetit politik shqiptar PD dhe PS”.

Për Partinë Aleanca Demokratike, ky është kodi më i keq, i hartuar ndër vite, duke qenë edhe bllokues i zgjedhjeve.

Neritan Ceka:- “Mbetet vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila e ka për detyrë, të trajtojë çështjet antikushtetuese, që figurojnë në amendamentet e ligjit. Ky vend është mësuar të shkojë dhe prapa, pra do kthehemi dhe njëherë atje ku e kemi nisur”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti