Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dëshmitarë në gjyqin ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e komisarit Gani Malushi, qe ish-eprori i tij Pashk Tusha. Ky i fundit ish-drejtor i policisë së Durrësit, deklaroi në sallën e gjyqit, se hera e fundit kur ka komunikuar me ish-shefin e komisariatit të Krujës ka qenë një ditë përpara ngjarjes.

Malushi e kishte njoftuar për kapjen e një autori të një vrasje të ndodhur në fillim të muajit Gusht, në rrethin e Krujës. Dëshmitari tha, se nuk ishte në dijeni që në 6 Gusht, Malushi po lëvizte me shoferin e tij Gjovalin Ndreu, pasi prej disa ditësh kishte marrë leje. Ndërsa lidhur me faktin se një person si Gjovalin Ndreu që kishte hasmëri me të akuzuarin si autor i vrasjes, Agim Pepa, punonte në komisariatin e Krujës, Tusha sqaroi se vetë Malushi kishte këmbëngulur që ta mbante si shofer.

Gjithsesi, ish-kreu i policisë së Durrësit Pashk Tusha tha, se nuk kishte dijeni, në se dikush e kishte lajmëruar Malushin ditën e vrasjes për një mbledhje në drejtorinë e këtij rrethi. Tusha është dëshmitari i fundit i kërkuar nga prokuroria. Ajo hoqi dorë nga dy dëshmitarë të tjerë duke ia lënë radhën dëshmitarëve të mbrojtjes./tvklan.al