Kjo është një ditë e zakonshme vere në Gjirokastër. Qyteti është i gjallëruar nga turistë të shumtë. Pjesa historike është zona më e populluar pasi është edhe zona më e preferuar nga vizitorët. Turistët që janë nga vende të ndryshme të botës vlerësojnë veçanërisht historinë dhe bukurinë e qytetit.
“Është shumë bukur, vij nga Gjermania. Më pëlqen shumë qyteti dhe sitet arkeologjike të këtij vendi,” tha një turiste.
“Është hera e parë që jam në Shqipëri, isha në Vlorë dhe tani jam në Gjirokastër. Këtu është shumë bukur,” tha një tjetër.
Turistët të cilët nuk vizitojnë vetëm “qytetin e gurtë”, por edhe zona të tjera përreth si Saranda apo zona të tjera bregdetare nuk largohen nga qyteti pa provuar edhe gatimet tradicionale.
Dëfrim Gjoca, operator turistik: Ne synojmë gjithmonë gabimet tradicionale gjirokastrite dhe turistët që vijnë nga Saranda, vijnë apostafat për të shijuar gatimet e vjetra të Gjirokastrës siç janë qifqia, qoftet apo ëmbëlsirat e ndryshme, ikin shumë të kënaqur dhe me përshtypjet më të mira.
Zgjerimi i hartës së turistëve ka sjellë edhe rritje të numrit të tyre.
Ervina Saliaj, përgjegjëse për turizmin, Gjirokastër: Gjirokastra sivjet ka një vizitueshmëri më të lartë se viti i kaluar. Këtë e faktojnë statistikat që ne nxjerrim për çdo muaj, ku qyteti është vizituar nga mbi 80 mijë turistë përgjatë periudhës Janar-Qershor 2024, krahasuar me vitin 2023 jemi rreth 30 mijë më shumë turistë.
Vizitorët i tërheqin edhe organizimet e shumta në qytet. Gjatë verës ka aktivitete të ndryshme dhe kalendari është i pasur edhe për muajin Gusht.
Ervina Saliaj, përgjegjëse për turizmin, Gjirokastër: Nisim Gushtin me “Iso mbi kalldrëm” dhe e përfundojmë me “Iso mbi kalldrëm”, por kemi edhe festa të ndryshme, kemi “Verë dhe portokall”, kemi “Maratonën e Këngës Popullore” gjithashtu kemi edhe festat lokale që zhvillohen në njësitë administrative të Gjirokastrës.
Pritshmëritë janë që trendi në rritje i numrit të turistëve të vijojë edhe gjatë muajit gusht ndërsa synimi është që qyteti i gurtë me historinë e veçantë të jetë i vizitueshëm gjatë të 12 muajve të vitit.
Klan News