Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është zhvilluar faza e parë e konkursit ndërkombëtar për projektimin urbanistik të qendrës së Tiranës. Gjatë paradites, një juri e drejtuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe ambasadori gjerman Helmut Shreder, kanë shqyrtuar 35 dosjet e paraqitura pranë bashkisë së Tiranës nga studio të njohura nga vende të ndryshme të botës. Nga këto 35 studio dhe arkitektë, juria ka përzgjedhur vetëm tre prej tyre.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Studiot e paraseleksionuara, për të kaluar në fazën e dytë, janë studioja Bolles dhe Wilson nga Gjermania, me qendrën në Berlin. Studioja Mekano nga Holanda, me qendër në Amsterdam dhe studioja arkitekturë nga Franca me qendër në Paris. Sikundër vërejtëm gjatë gjithë procesit të diskutimit dhe të seleksionimit, një përqindje shumë e lartë e konkurrentëve na vunë në vështirësi, pasi cilësia ishte vërtetë e admirueshme”.

Tre studiot fituese brenda 10 ditëve do të paraqesin në Tiranë, projektin konceptual për planin rregullues të qendrës së kryeqytetit. Në fazën përfundimtare, një juri ndërkombëtare e kryesuar nga kryeministri shqiptar Fatos Nano, në fund të muajit Korrik, do të zgjedh dhe studion fituese, e cila do të hartojë projektin urbanistik të qendrës. I gjithë ky konkurs ndërkombëtar është financuar nga qeveria gjermane dhe fondacioni GTZ./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka