Përfundon rruga e re “Grigor Cilka” e cila lidh Njësinë 2 me lagjet e Farkës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se investimi në këtë zonë përveç se do të rrisë vlerën e pronës, pritet të lehtësoje ndjeshëm edhe qarkullimin e mjeteve.

“Kemi hedhur beton, çelik dhe hekur për të mbajtur shtëpitë, duke investuar një vlerë më të madhe se vetë shtëpia. Shpresoj që rrugët kapilare të çlirojnë pak trafikun. Trafiku që krijohet te rrethrrotullimi i Saukut dhe rrethrrotullimi i Lundrës është një trafik i panevojshëm, sidomos për ata që, në fakt, e kanë më kollaj të përdorin rrugët dytësore për të shkuar në shtëpi”.

Veliaj u ndal tek vendimi i qeverisë për të lehtësuar procedurat e ndërtimit në zonat rurale.

“Për këto punë, deri dje, njerëzit duhet të vinin te bashkia e madhe, të bënin procedura me arkitekte, çka kushtonte më shumë arkitekti se sa vetë çatia e shtëpisë. Më vjen mirë që ky non sens u zgjidh me dashamirësinë dhe vullnetin e kryeministrit dhe shumicës tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë se duhet abuzuar, por bëhet për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve.”

Për të rritur më tej vlerën e pronës, Veliaj tha se qytetarët mund të aplikojnë për  fondin e komunitetit, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhen nga kontributet e banorëve.

Tv Klan