Reagimi i fortë i Bashkimit Demokratik për integrim vjen pas incidenteve të dhunës që përgjakën dhe dëmtuan votimin. Në këto zgjedhje parlamentare të Maqedonisë të cilat vlerësoheshin si një provë tepër kritike për aspiratat e vendit drejt NATO-s dhe BE.

Naser Ajvazi humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me policinë në fshatin Haraçin të Shkupit. Ngjarja ndodhi gjatë paradites ku sipas ministrisë së brendshme policia shkoi në fshat për të ndaluar 6 persona të cilët protestonin pasi një personi të grupit nuk iu lejua të votonte për të gjithë familjen.

Pas përplasjes policia sekuestroi 2 makina me armë, bllokoi hyrjet dhe daljet nga fshati, ndërsa banorët vendosën barrikada të cilat u hoqën gjatë orëve të pasdites. 9 persona u arrestuan për këtë rast, mes tyre ishte edhe një prej liderëve të UÇK-së Agim Krasniqi, i cili në zgjedhjet e mëparshme kandidonte nga ana e PDSH-së.

Në bazë të këtyre ngjarjeve komisioni shtetëror zgjedhor anuloi votimin në këtë zonë. Incidente të rënda u shënuan edhe në Çahir ku një grup i armatosur sulmoi policinë. Nga shkëmbimi i zjarrit u plagosën disa persona, votimet u ndërprenë edhe në mbi 20 zona në Shkup, Tetovë dhe Gostivar.

Për të gjitha incidentet BDI akuzoi policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Ali Ahmeti: “Po ndodhin më shumë se sa kasaphanë, njerëzit janë të prirur që të bëjnë dëm për popullin e vet. Ne jemi përpjek që t’ju ikim çdo provokacioni, për fat të keq struktura kriminale mbështeten edhe nga policia. Situata është mjaft e brengosur, mjaft shqetësuese, megjithatë jemi duke u përpjekur të menaxhojmë komunitetin ndërkombëtar.”

Kreu i PDSH Menduh Thaçi u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë të hedhin voton e tyre në këto zgjedhje të rëndësishme për vendin.

Menduh Thaçi: “Kam një porosi të përgjithshme, gjenerale të gjithë qytetarët pavarësisht prej incidenteve të cilat ndodhën paradite, qeveria e Maqedonisë dhe ministri e punëve të brendshme ka kapacitetin që ta mbajë procesin në kontroll. Të garantojë paqen dhe sigurinë dhe i lus qytetarët që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje.”

Televizioni grek Antena bëri të ditur se një gazetar dhe kameraman i saj janë arrestuar dhe mbajtur në stacionin e policisë për 5 orë. Organizata Jo Qeveritare MOSS regjistroi parregullsi të mëdha të cilat u konfirmuan edhe nga vëzhguesit e këshillit të Evropës.

“Kemi vënë re mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve, në këtë qendër votimi ishin dy kuti që nuk ishin vulosur fare. Madje dhe tani 25 minuta pas nisjes së votimit kutitë janë të hapura.”

Incidentet në këtë ditë të rëndësishme për Maqedoninë përbëjnë kulmin e tensioneve që shoqëruan të gjithë fushatën zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle