Qeveria ka marrë vendimin për ngritjen e komitetit ndërministerial, i cili do menaxhojë të gjithë planin e veprimit për mbrojtjen nga gripi i derrit. Kreu i qeverisë Sali Berisha, pohoi faktin e deklaruar nga specialistët se popullata shqiptare nuk është imune ndaj këtij virusi, por deklaroi se qeveria disponon të gjitha mundësitë për të mirë menaxhuar situatën në të gjitha rastet.

Sali Berisha: “Unë ju siguroj se një komunitet ndërqeveritar do të ngrihet sot për tu përballur dhe për të marrë të gjitha masat si për parandalimin e saj ashtu edhe për çdo eventualitet. Asnjë vend nuk është imun nga kjo sëmundje. Të gjitha mjetet për të marrë masat e nevojshme, financiare, medikale etj.

Në vendin tonë ende nuk rezulton të ketë asnjë rast të dyshuar me virusin H1N1. Pavarësisht kësaj Ministria e Shëndetësisë ka mbledhur komisionin e ekspertëve që po mbikëqyr situatën e pandemisë në botë. Ekspertët shprehen se kjo mund të jetë  faza e parë e gripit ndërsa një e dytë pritet në vjeshtën e  këtij viti.

Alban Ylli: “Ekspertët janë duke menduar se bëhet fjalë për një valë të parë, por që mund të rikthehet përsëri me fillimin e sezonit të gripit në hemisferën e veriut. Askush nuk është në gjendje të thotë se kjo valë e dytë do të jetë më e rëndë apo po kaq e lehtë se e para. Praktikisht për këtë fazë nuk kemi ndërmarrë asnjë masë tjetër veç rritjes së vigjilencës lidhur me survejancë epidemiologjike.”

Emergjenca mjekësore në të cilën ndodhemi, ka bërë që me një urdhër të posaçëm të ministres së shëndetësisë Anila Godo  të gjitha qendrat shëndetësore të jenë të hapura edhe në ditët e pushimit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami