31 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit në të gjithë vendin. Referuar të dhënave të raportuara dhe nga vetë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, aktualisht në të gjithë territorin e Shqipërisë janë aktive vetëm 3 vatra.

Konkretisht bëhet fjalë për vatrën në Arrën të Kukësit, ajo në Fushë Lugje të Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës.

Nga sa mësohet këto vatra janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Prej nisjes së sezonit në të gjithë vendin janë regjistruar mbi 500 vatra zjarri, pjesa më e madhe të cilave janë izoluar brenda pak orësh falë ndërhyrjes së autoriteteve.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kategorizuar si zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa pjesa tjetër janë regjistruar për shkak të pakujdesisë së qytetarëve të cilët në tentativë për të pastruar kullotat u ka dalë situata jashtë kontrolli.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 20 mijë hektarë pyje janë shkrumbuar ose përshkruar nga flakët ku numrin më të madh të vatrave e ka pasur Vlora, Shkodra, Fieri dhe Gjirokastra. 

Tv Klan