Lajme Arkiva 2003

Kështu nis dita e punës për kapiten Mihalin dhe ekuipazhin e vogël të kësaj anije këtu në Portin e Durrësit. Pas kësaj anija do të niset në det të hapur ku hidhen tratat. Peshkarexha do të kthehet vetëm pas 48 orësh për të sjellë sasinë e peshkut të zënë. Mihal Nako prej 50 vitesh punon si peshkatar dhe sot ai ndjen se ka diçka që nuk shkon me efektivitetin dhe fitimin që ka në profesionin e tyre.

“Për blerjen e naftës kemi shumë pengesa se këtu me këtë sistem gjuetie që bëhet në peshkim , janë 96 barka dhe të gjithë luftojnë për të marrë naftën sa më lirë që të fitojnë 5 lekë, blerja e naftës me një çmim të lirë ka leverdi ekonomike se në rastin që unë naftën e marr me 70 Lekë litrin apo me 40 Lekë ky është një 30 Lekë që të jep fitim në favor të ekuipazhit”.

Aktualisht këta peshkatarë e blejnë lëndën djegëse me një çmim të njëjtë me tregun. Ata mendojnë se në blerjen e naftës duhet hequr akciza e cila sjell si pasojë përgjysmimin e çmimit të naftës për ta. Ky legjislacion ekziston edhe në vende të tjera për kategorinë e peshkatarëve.

“Sipas fjalëve që na kanë thënë pritet të bëhet prokurimi i tenderit të naftës. Themi se do të fillojmë për 10-15 ditë ta marrim edhe naftën pa akcizë”.

Heqja e akcizën në çmimin e blerjes së naftës për peshkatarët do të lehtësoj kushtet e punës për rreth 400 peshkatarë të cilët kanë në përdorim 100 peshkarexha në portin e Durrësit./tvklan.al