Punimet për ndërtimin e rrugëve të brendshme në qytetin e Lushnjës janë bllokuar prej kohësh, duke e kthyer makth lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Investimet e nisura në infrastrukturë kanë ngecur si pasojë e mos koordinimit mes pushtetit lokal dhe operatorëve që administrojnë rrjetin nëntokësor të kabllove të energjisë dhe telefonisë fikse. Rrugët e hapura përveçse kanë paralizuar qarkullimin kanë  shtuar dhe shqetësimin për ndotjen e mjedisit.

Qytetar 1: “Shikojmë që ka filluar një punë e mbarë atje, por kjo punë e mbarë është lënë përgjysmë. Ka një dy muaj e ca që vazhdon ngushtimi i trotuareve dhe asnjë gjë nuk është bërë më tepër.”

Qytetarja 1: “Ne u mbytëm dje nuk kalonim dot , gjendje shumë e keqe. Lërë tek pallatet tona ujërat e zeza të hapura nëpër rrugë, balta … gjynah lekët i paguajmë.”

Qytetari 2: “Shumë e mjerueshme, rruga është shumë e keqe nuk kalohet nuk bëhet me makinë.”

Nga ana e tyre autoritetet lokale nuk japin afate se kur do të nisë asfaltimi i rrugëve. Në pritje të ndërhyrje që duhet të bëjnë KESH-i dhe Albtelecom.

“Në asket e pambaruar kemi paraprakisht projektin e rrugës “Hasan Prishtina”, kemi aksin rrugën “Çajupi” që  të çon tek shkolla Liri Kazazi që ka pasur një rrjet të azhurnuar. Do me thënë kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha ose të linjave të elektrikut dhe të linjave të Telecomit. Jemi gjithmonë në proces bashkëpunimi me Telecomin e elektrikun për të bërë ato. Afati maksimal është 1 muaj e gjysmë, do me thënë ke 45-50 ditësh. Kurse investimet tjera mund të shkojnë 2 muaj apo 3 muaj varet gjithmonë nga investimi.”

Zvarritja e punimeve ka lënë të hapura akset kryesore duke zhvendosur punën e firmave zbatuese në rregullimin e trotuareve. Ky nuk është rasti i parë ku mos koordinimi mes institucioneve bëhet pengesë për zbatimin në kohë të projekteve të infrastrukturës urbane./tvklan.al