Plazhi i Kallmit, një “perlë e fshehur” vetëm 4 kilometra larg qytetit të Durrësit, vitet e fundit po josh shumë pushues të huaj dhe vendas.

Ndryshe nga shumë plazhe të tjera në afërsi, plazhi i Kallmit ruan natyrën e bukur dhe pastërtinë, duke ofruar një ambient relaksues për vizitorët.

Gjiret e shumta që e rrethojnë plazhin krijojnë një ndjenjë intimiteti dhe privatësie, duke e bërë atë një zgjedhje të preferuar për ata që kërkojnë të shmangin zhurmën dhe rrëmujën e plazheve më të populluara.

Turistët që e kanë zbuluar këtë plazh vlerësojnë jo vetëm bukurinë natyrore, por edhe qetësinë dhe rehatinë që ai ofron.

 “E pëlqej këtë plazh, është shumë qetë. Nuk më duket aq zonë turistike sa vende të tjera këtu në Shqipëri. Është hera e parë që jam në vendin tuaj. Kam qenë edhe në Tiranë ku vizitova disa zona, kam ardhur me makinë nga Holanda bashkë me familjen,” tha një turist.

“Më pëlqen vërtet ky vend, është hera e parë që vij dhe është shumë bukur. Nuk është një plazh i zhurmshëm, por kam përshtypjen që shumë shpejt edhe këtu do të ndryshojë pasi shumë njerëz do ta zbulojnë,” u shpreh turistja.

Kallmi mbetet një ndër destinacionet e preferuara edhe për vendasit.

-“Është hera e parë që vij këtu në Kallm dhe është shumë bukur. Isha të dielën këtu, erdha dhe sot.”

-“Kjo pjesa e Kallmit këtu është shumë e mirë për mua. Kam pesë vite që e frekuentoj,” tha një tjetër.

-“Për ne durrsakët të paktën është si jugu i Shqipërisë, port ë vetmin ndryshim që mund të ketë nga jugu është që çmimet janë më të lira dhe kushtet më të mira,” u shprehu një pushues.

-“Nuk ka si plazhi i Kallmit, është një nga plazhet më të mirë në Durrës. Ujërat janë shumë të pastra, është komplet bio me iriqë dhe me hijet detare. S’ka si Durrësi!”

-“Ne e frekuentojmë gjithmonë, kjo është tamam ‘perla e Shqipërisë’, çdo gjë e virgjër, e pastë.”

Përgjatë gjireve të plazhit 3 kilometra të gjatë, janë bërë përpjekje të kujdesshme për sistemimin e plazheve.

Beach baret, lokalet dhe restorantet janë kryesisht struktura prej druri, për të qenë sa më miqësore me natyrën.

Ndërkohë, bizneset lokale ofrojnë shërbime të shkëlqyera restorantesh me një gastronomi të pasur dhe ushqim të freskët e të shijshëm.

Pushuesit thonë se çmimet janë të lira dhe ushqimi është i mirë.

-“Ushqimi është perfekt, është shumë i mirë me ushqime të freskëta. Çmimet janë shumë mirë.”

-“Gatimet janë shumë të mira edhe çmimet janë normale. Ne jemi shumë të kënaqur.”

Plazhi i Kallmit, i pozicionuar në perëndim të kodrave të Durrësit, është lehtësisht i arritshëm duke ndjekur rrugën e Currilave. Kjo rrugë piktoreske ofron një peizazh të mrekullueshëm, duke e bërë udhëtimin drejt plazhit një përvojë të veçantë dhe të këndshme.

Klan News