Lajme Arkiva 2003

Presidenti i Republikës zoti Alfred Moisiu ka dekretuar ndryshime për ligjin e radio dhe televizioneve në Republikën e Shqipërisë. Këto ndryshime të cilat u miratuan në seancën e fundit parlamentare synojnë eliminimin përfundimtar të piraterisë në transmetime televizive si edhe garanton konkurrencën e ndershme duke mos lejuar që disa televizione ti blejnë programet dhe disa të tjerë ti vjedhin ato. Kështu ky ligj parashikon detyrimin e radio televizioneve për prodhimin ose blerjen e programeve radio-televizive.

Të gjithë operatorët radio-televiziv, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji janë të detyruar të garantojnë me kontrata blerjen e programeve për transmetim. Nga ana tjetër ky ligj dënon radio-televizionet që transmetojnë programe të pavlera ose në mënyrë privatë me gjobë nga 200.000 deri në 1 milionë lekë të reja për çdo program.

Në rast të shkeljeve të përsëritura sanksionet shkojnë deri në heqje të licencës. Përveç detyrimit për respektimin e të drejtave televizive, ky ligj lejon televizionet e rrjetit tokësor të transmetojnë programet e tyre edhe në rrjetin satelitor sikurse ligjëron edhe transmetimin në rrjetin tokësor të televizioneve të licencuara për transmetim satelitor.

Miratimi i këtij ligji erdhi si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të disa mediave për respektimin e të drejtave televizive. Një kontribut dha edhe takimi i kryeministrit të Shqipërisë zotit Fatos Nanos me drejtuesit e mediave kryesore në vend. Ligji në fjalë pritet të hyjë në fuqi në fund të muajit shtator./tvklan.al