Pas një viti seancash gjyqësore, togat e zeza të gjykatës së Vlorës kanë dëgjuar pretencën e prokurorit të rrethit Sokol Malaj, lidhur me akuzën ndaj kryebashkiakut të Himarës Vasil Bollano. Ky i fundit është cilësuar nga prokuroria si fajtor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi ka urdhëruar heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogora – Qeparo, me qëllim zëvendësimin e tyre me tabela në gjuhën greke. 

Bazuar në dëshmitë e marra dhe provave të grumbulluara organi i akuzës ka kërkuar 1 vit burg dhe 5 milionë lekë gjobë.  Sipas raportit të prokurorit, Vasil Bollano i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar me një vlerë rreth 40 milion lekë. Konflikti mes firmës që kryente vendosjen e tabelave dhe bashkisë së Himarës ka nisur në tetor të vitit 2007 kur nga ana e Policisë Bashkiake të Himarës, janë hequr një numër i konsiderueshëm tabelash, pjesë e sinjalistikës vertikale, të aksit rrugor Llogora-Qeparo.

Në seancën e radhës Bollano u përfaqësua  në sallën e gjyqit nga avokati i tij Petraq Curri. Përpara se të japë vendimin përfundimtar Gjykata e Vlorës do të dëgjojë edhe njëherë palën mbrojtëse, ku pritet të dëshmojë vetë kryebiashku Vasil Bollano./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila