Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nuk ka ende asnjë garanci, se Banka e Kursimeve do të privatizohet brenda e këtij viti siç synon qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë. Të ardhmen e pasigurt të bankës së vetme shtetërore dhe më të madhe në vend, e ka parashikuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, pas një takimi me përfaqësuesin më të lartë të sistemit bankar të Kosovës, Hajri Begu.

Shkëlqim Cani:- “Këto janë dy kushte, të cilat unë mendoj që mund të realizohen dhe mund të mos realizohen. Natyrisht që është në dorë të vetë bankës dhe të pronarit të bankës, por siç e dini edhe privatizmi i bankës, sidomos është në dorë edhe të tregut ndërkombëtar. Në varësi nga ecuria e ekonomisë botërore, e cila siç e dini është në vështirësi, çdo nxitim në privatizimin e Bankës së Kursimeve do të ishte me pasoja”.

Ndërsa sipas zotit Begu, mosprivatizimi i Bankës së Kursimeve, ka penguar dhe shtrirjen e saj në Kosovë.

Hajri Begu:- “Siç dini, vitin e kaluar dështoi privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe këtë e kishim edhe një çështje që të shohim se kush do të jetë ai që do ta marrë Bankën e Kursimeve”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço