Artdashësit shqiptarë do të mund të ndjekin një mbrëmje “Shopen” vënë në skenë nga Kamerata e Tiranës. 

Paskal Gallet, i cilësuar nga kritika ndërkombëtare si pianisti më i mirë, do të performojë në këtë koncert së bashku me mjeshtrin e madh, Zhani Ciko, i cili është dirigjenti i parë shqiptar që merr pjesë në Kameratën e Tiranës.

Zhani Ciko: “Jam shumë i gëzuar për këtë iniciativë dhe madje e quaj për nder që ndodhem këtu të bëj këtë koncert. Është një ngjarje shumë e gëzuar për çdo muzikant. Është një organizim i ri, një mundësi e re për shumë të rinj. Këto formacione, të cilat lindin mbi bazën e një periodiciteti është edhe kjo një mënyrë për të gjallëruar jetën artistike. Na takon të gjithëve të kontribuojmë që ato të kthehen në permanente”.

Drejtori artistik i kameratës , Arben Skënderi, është shprehur se vënia në jetë e aktiviteteve të tilla përforcon bashkëpunimin mes artistëve të huaj dhe atyre shqiptarë.

Pianisti Gallet ka vlerësuar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit franko-shqiptar, Artema dhe e ka cilësuar Kameratën e Tiranës si një domosdoshmëri për kulturën shqiptare.

Pascal Gallet: “Ngjyra dhe profesionalizmi i kësaj orkestre është në nivel shumë të lartë. Në këtë vepër të Shopenit, atje ku pianisti ndihet pak nudo, pak i zhveshur orkestra duhet të jetë sporti kryesor, solid dhe serioz. Në Kameratën e Tiranës ky qëllim është arritur shumë mirë. Artistët pjesëmarrës në të bëjnë që ajo të jetë në nivele ndërkombëtare”.

Kamerata e Tiranës në vjeshtë do të zhvillojë dy turne në Evropë dhe Japoni, ndërsa në Shqipëri ka shfaqur shtatë koncerte që kanë ngjallur mjaft interes tek publiku shqiptar.

Koncerti do të shfaqet në Akademinë e Arteve në 30 Mars në orën 19:00 dhe hyrja do të jetë e lirë./tvklan.al